venerdì 14 ottobre 2011

Dalla Chiesa Ortodossa d'Albania

Kisha e Shqipërisë
 Tradita historike - shpirtërore
2 -   Nga viti 731 deri në fillim të shek. XI
 Tradita 

Periudha e dytë (nga viti 731 deri në fillim të shek. XI) fillon me bashkimin e Ilirikut Lindor me Patriarkanën e Konstandinopojës, nga perandori ikonoklast Leoni III Isauri dhe arrin deri në vartësinë e shumë episkopatave të Shqipërisë së sotme nën Kryepiskopatën Autoqefale të Ohrit. Tronditjet në këtë vend ishin të vazhdueshme dhe popullsia e krishterë përballoi sprova të mëdha. Më e vështira nga këto ishte pushtimi i Durrësit nga bullgarët, në vitin 896. Pas betejash të ashpra Vasili II mundi të vendosë (1014 – 1018) sundimin bizantin në këtë zonë.
Të dhënat historike për jetën kishtare të kësaj periudhe janë gjithashtu të pakta. Dëshmitë më të besueshme mbeten emrat e dokumentuar të episkopatave dhe episkopëve. Tek “Taktikon” e Leonit III (733), ashtu si tregohet në “Parisinus Codex”, rajoni i Ilirikut me mitropoli Durrësin (në të cilën varen 8 episkopata: e Thamnit, e Skampës, e Liknidhës, e Amantias, e Bylisit, e Atradhës, e Avlonës (Vlorës) dhe e Akrokeravnisë) zë vendin e 15–të në listën e Patriarkanës Ekumenike. Më vonë, në “Kushtetutën kishtare” të perandorit Leon Sofos (i Dituri), në fillim të shek. X, mitropoliti i Durrësit renditej në vendin e 43–të (përpara mitropolitit të Smirnës [Izmirit]), me 15 episkopë në varësi të tij: të Stefaniakës, Ko(u)navisë, Kroonit (Krujës), Elisus (Lezhës), Diokleas, Shkodrës, Drivashtit, Polaton, Glavenicës ose Akrokeravnisë, Avlonës, Liknidhës, Antivarit (Tivarit), Çernikës, Pulkeriopolit (Beratit) dhe Gradicës. Kjo gjë lë të kuptosh, se kishte organizim të zhvilluar kishtar. Gjithashtu tregon se krijohen episkopata të reja dhe se prej të vjetrave disa mbeten të qëndrueshme, ndonëse ndryshojnë vendin në renditje, ndërsa të tjera shfaqen me emra të rinj.
Si mitropolitë të Durrësit të kësaj periudhe përmenden: Niqifori, që shfaqet në Aktet e Sinodit të VII Ekumenik në Nikea dhe Lukiani, që firmos në Aktet e Sinodit të madh në kohën e Fotit, në Konstandinopojë në vitin 879. Gjithashtu ruhen edhe emrat e kryepriftërinjëve të episkopatës së Drinopolit, ndërmjet të cilëve: Kozmai (754 – 787), që përfaqësoi Epirin në Sinodin e VII Ekumenik dhe Vasili I (822). Në shek. X ose në fillim të shek. XI veproi e u martirizua pranë Elbasanit Shën Joan Vladimiri, lipsanet e të cilit u ruajtën në manastirin me të njëjtin emër.
 

Nessun commento: