lunedì 14 giugno 2010

Dalla Chiesa Ortodossa Sorella d'Albania

Tiranë - Mbrëmje me muzikë bizantine

Me rastin e mbylljes së ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, që u hap në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në datën 7 qershor u zhvillua vepri­­mtaria kulturore “Mbrëmësore Bizantine. Ajo u mbajt në sallën e re të ceremonive pranë kishës Ungjillëzimi i Hyjlindëses, Tiranë.
Veprimtaria, ashtu si edhe ekspozita, u organizua nga Fondacioni Grek i Kulturës në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Në veprimtari morën pjesë akademikë dhe intelektualë të njohur nga Shqipëria dhe Greqia, diplomatë, klerikë, besimtarë orthodhoksë dhe qytetarë të kryeqytetit të interesuar për këtë lloj muzike etj. Veprimtarinë e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i shoqëruar nga dy episkopët ndihmës, Hirësia e Tij Nikolla dhe Hirësia e Tij Andoni.

Pas hapjes së veprimtarisë, z. Harallamb Terziu, pedagog i muzikës bizantine në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, mbajti referatin “Historia e muzikës bizantine përgjatë shekujve”.
Pastaj, me një hyrje mbresëlënëse, duke psalur, në skenë zuri vend kori Kishtar Bizantin “Joan Kukuzeli”, i drejtuar nga Arqimandriti Justin, që është dhe themeluesi i tij. Kori psali disa pjesë himnesh që gjenden në kodikët muzikorë të ekspozuar.
Referatin e dytë e mbajti Dhjak Spiro Kostoli, pedagog i historisë së muzikës bizantine në Akademinë Teologjike, me temë “Muzika kishtare bizantine dhe kultivimi i saj në Shqipëri”.
Pastaj kori “Joan Kukuzeli vazhdoi me psalje e himneve nga kodikët, si dhe u lexua një pasazh nga kodiku i Korçës nr. 93, shek. X.

Thoma Dhima

Nessun commento: