sabato 27 agosto 2011

Pubblicata da Enoria e Shen Theodhorit Vlore

Shen Kozmai i Etolisë “Zëri i tij doli në gjithë dheun, dhe fjalët e tij deri në anët e botës”. (Romakëve 10, 18)

Më 24 të muajit Gusht Kisha kremton dhe nderon kujtimin e hirshëm të hierodëshmorit të lavdëruar Kozma nga Etolia. Shën Kozmai është nga shenjtorët e Kishës, që quhen dëshmorë të rinj dhe u dalluan në kohën e pushtimit turk. Turqit, pas rënies së Kostandinopojës, janë, në Lindje, përndjekësit e rinj të Kishës, dhe atëherë shumë të krishterë, burra dhe gra, që të mos ndërrojnë besën, parapëlqyen dhe dhanë jetën e tyre. Këta janë ata, që me shembullin dhe sakrificën e tyre, mbajtën të gjallë besën Orthodhokse të skllevërve të krishterë të Lindjes.
Kush tjetër do të ishte më i përshtatshëm të flasë në ditën e kujtimit të tij? Mësimet e tij janë të urta dhe të thjeshta. Të pakta por të arrira. Atje brenda gjen dikush esencën e Besës, të domosdoshmet për shpëtimin. Ndërmjet temave të tjera, flet në mësimet e tij edhe për të Tërëshenjtën.
I
Shën Kozmai kishte një dashuri dhe respekt të veçantë për Hyjlindësen. Besonte, se personi i së Tërëshenjtës, është çelësi i besimit dhe se besa tek misteri i së Tërëshenjtës dhe Hyjlindëses na dallon nga ateistët dhe heretikët. Ka të na thotë shumë për të Tërëshenjtën shën Kozmai. Por, nga gjithë ato që thotë në Mësimet e tij, pesë stoli për të Tërëshenjtën dhe katër mesazhe për ne do të na paraqesë në predikimin e sotëm.
Stolia e parë: E Tërëshenjta është Eva e re. Nëse nga Eva e parë trashëguam mëkatin dhe vdekjen, nga Eva e dytë, Hyjlindësja, trashëguam çlirimin dhe jetën. Thotë edhe një koment teologjik të bukur shën Kozmai. Gruaja e parë, Eva, lindi nga brinja e burrit, e Adamit. Kishte borxh gruaja tek burri. I detyrohej jetën. Vjen Eva e re, e Tërëshenjta, dhe shlyen borxhin në gjininë e burrit. Ashtu si pa grua lindi gruaja e parë, kështu pa burrë, Eva e re, e Tërëshenjta lindi njeriun e ri, Perëndinjerinë.
Stolia e dytë: E Tërëshenjta është më e lartë se gjithë gratë e botës, nga gjithë njerëzit, më e lartë edhe se engjëjt. Duke folur shën Kozmai për Hyrjen e Virgjëreshës në Tempull, thotë se engjëll i Zotit e ushqente me ushqim qiellor, bashkëbisedonte me engjëjt dhe u bë “më e nderuar se Keruvimet dhe më e lavdëruar pa krahasim se Serafimet”.
Stolia e tretë e shën Kozmait për të Tërëshenjtën: E Tërëshenjta u bë mjeti i dhembshurisë së Perëndisë. Patriku Jakov pa një shkallë, që bashkonte tokën me qiellin, dhe Zoti Perëndia zbriste nga kjo shkallë. E Tërëshenjta është shkalla që zbriti Perëndia nga qielli në tokë, duke u bërë njeri.
Profeti Ezekiel pa një portë, “portën nga lindja” (Ezekiel 44, 1), që është e mbyllur dhe asnjë nuk kaloi nga ajo, përveç Perëndisë, dhe mbas kalimit të Perëndisë mbeti prapë e mbyllur. Kjo është simbol i gjithmonvirgjërës Hyjlindëse. E Tërëshenjta u gjend e qashtër që të mikpresë në mitrën e saj Perëndinë e mishëruar. Kjo përbën edhe stolinë e saj të katërt.
Stolia e pestë: Është emri i së Tërëshenjtës. Maria është emri i saj. Por çdo të thotë Maria? Do të thotë Zonjë, do të thotë edhe Mbretëreshë. Është Zonja Hyjlindëse. Zonjë, sepse zotëroi mbi të keqen. Zonjë se është nëna e Zotit. Zonjë, sepse ne shërbëtorët e përulur i biem në gjunjë me dhimbje dhe shpresë dhe kërkojmë ndërmjetimin e saj. Cilado zonjë tjetër e rëndësishme e kësaj bote është një zero përpara Zonjës Hyjlindëse. Dhe është Mbretëreshë e Tërëshenjta. Në kokën e saj ka kurorën e shenjtërisë. Në duart e saj mban skeptrin e dashurisë. Dhe fronet e saj janë dy. Njëri në të djathtë të Perëndisë, sipas psalmit: “mbretëresha qëndroi në të djathtën tënde” (Psalm 44, 9). Tjetri, në të majtë të trupit njerëzor, është froni i zemrës sonë. Për mëkatet tona i lutet Birit të saj, të na mëshirojë. Dhe ka shumë guxim për të folur Nëna e Shpëtimtarit. Shumë fuqi ka lutja e nënës për dashamirësinë e Dhespotit, psal Kisha jonë çdo ditë në shërbesën e orëve.
II
Katër mesazhe për ne, në lidhje me të Tërëshenjtën.
1. I pari është mesazh feminist. Bëhen shumë fjalë në ditët tona për të drejtat e gruas dhe për barazinë e gruas me burrin. Barazinë e vërtetë të dy gjinive e predikoi Krishtërimi këtu e dy mijë vjet; barazi reale, jo sheshim. Shën Kozmai, mbartës i predikimit autentik të Ungjillit, kritikon ashpër pushtetin burrëror dhe predikon barazinë e krishterë:
“Duhet edhe ti, burrë, të mos përdorësh gruan tënde si skllave, sepse krijesë e Perëndisë është edhe ajo, ashtu si ti. Aq sa u kryqëzua Perëndia për ty, aq u kryqëzua edhe për atë. Atë e quan ti Perëndinë, Atë e quan edhe ajo. Keni një besim, një pagëzim, Perëndia nuk e ka më poshtë...”
Në një pikë tjetër të Mësimeve të tij, qorton burrin dhe lartëson gruan: “Çfarë dobie ke të mburresh se je burrë, nëse je më keq se gruaja dhe shkon në ferr e digjesh përgjithmonë, ndërsa gruaja jote shkon në parajsë të gëzohet përgjithmonë”.
2-3. Në personin e së Tërëshenjtës nderohet njëkohësisht mëmësia dhe virgjëria, martesa dhe përkushtimi. Atëherë gruaja është e denjë për nder dhe respekt, kur është ose nënë ose e virgjër. Thotë shën Kozmai: “U lind Zoti ynë nga gruaja, që të nderojë gruan. U lind Zoti ynë nga e virgjëra, që të parapëlqejë virgjërinë. Ti, vëllai im, që do të ruash virgjërinë, të urresh botën; atëherë je i mirë, atëherë bëhesh si engjëll. U lind Zoti ynë nga e fejuara, që të bekojë martesën”. Martesa dhe virgjëria përndiqen dhe luftohen në ditët tona. Martesa prishet me ligje jo të krishtera, të cilat lejojnë abortet, që vrasin frytin e amësisë që është fëmija. Për sa i përket virgjërisë, si të mbeten të rinjtë tanë të pastër dhe të virgjër, kur gjithë mjetet e komunikimit shfaqin gjithë këto pisllëqe?
Mesazhi i fundit i shën Kozmait është: Nderim për të Tërëshenjtën Hyjlindëse, i cili përkthehet në dy gjëra, në kreshmë dhe në lëmosha.
*  *  *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! E Tërëshenjta na fali dhuratën më të madhe, Shpëtimtarin Krisht. Le t’ia shpërblejmë me respekt, nder dhe modesti. E Tërëshenjta kërkon të reshtim së nderuari me hipokrizi dhe të rendim ta nderojmë me të vërtetë. Dhe nderi i vërtetë është imitimi. Këtë le të ndjekim duke psalur me shpresëtari dhe urtësi: O Hyjlindëse e Tërëshenjtë ndërmjeto për ne. U bëftë.


Me urime të përzemërta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë

IGNATI

Nessun commento: