lunedì 25 ottobre 2010

Dal sito della Chiesa Ortodossa d'Albania

Habitemi se si paraqeten si dokumente të vërteta disa sajesa të shtypit

Ne besimtarët orthodhoksë të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, shprehim indinjatën tonë për intervistat e z. Kristo Frashëri rreth çështjeve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepiskopit tonë. Ne e kemi parë shpesh gjithë këta vjet z. Frashëri në Kryepiskopatën tonë, duke uruar përzemërsisht Fortlumturinë e Tij Anastasin me rastin e Pashkëve dhe Krishtlindjeve etj. E dinim pra, mik të tij dhe të komunitetit tonë.
Si ndodhi kjo kthesë e tij e pak ditëve më parë? Si arrin ai të deklarojë që Kryepiskopi ynë nuk është fronëzuar në kishën tonë të Ungjillëzimit, por në hotel? Mund të ndodhë kjo, dhe a ka njeri të arsyeshëm në botë që mund ta pranojë? Shumë nga ne që e firmosim këtë protestë, kemi qenë dëshmitarë okularë, pjesëmarrës në këtë eveniment, dhe habitemi që ai, një personalitet i kulturës, në vend të dënojë gjestin e ulët të disa personave, ndër ta dhe joortodokse, madje dhe deputetë - që i lejuan vetes të cënonin tolerancën ndërfetare. Brenda një tempulli të një komuniteti vëlla, merr anën e tyre dhe nxjerr nga goja gjëra kaq absurde, sikur Kryepiskopi ynë nuk qenka i ligjshëm(!). Po atëherë tërë autoritetet më të larta të shtetit kanë folur kot kur e kanë përgëzuar personalisht në vizitat e tyre, ose kur e kanë ftuar të merrte pjesë me raste solemnitetesh apo e kane nderuar me dekorata?
Habitemi se si z. Frashëri, si historian, i mban për të vlefshme dhe i paraqet si dokumente të vërteta disa sajesa të shtypit…sikur Eksarku Anastas, me të arritur në Shqipëri, madje para se të arrinte, paska komplotuar kundër vendit tonë! Një historian, sado i ri dhe i papërvojë, nuk do të guxonte të citonte një dokument, pa paraqitur njëherazi edhe burimin nga e ka marrë dhe pa e shoqëruar me një faksimile. Si është e mundur që Imzot Anastasi, shkencëtar i njohur dhe i nderuar në botë përveçse klerik, të bëhet pjesë enjë marrëveshjeje kaq qesharake siç pretendon prof. Frashëri, dhe organet tona të zbulimit të mos e kenë marrë vesh?
Prof. Frashëri pretendon të mbrojë kulturën shqiptare kur kundërshton të drejtën e Kishës tonë për të rindërtuar tempullin e saj “Shën Maria e Pazarit” në Përmet, të shkatërruar nga regjimi komunist. Ai bëhet përkrahës i gënjeshtrës se ajo kishë paska qenë djegur gjatë luftës, kur ka plot të moshuar që dëshmojnë se Kisha ka qëndruar në këmbë deri në 1960. veç kësaj regjimi komunist ka qenë i plotfuqishëm, atëherë pse të shfrytëzonte vetëm 0.7% të ndërtesës së kishës dhe jo të tërën, siç bëri dhe si e dinë të gjithë? Pastaj a e përfaqëson kulturën shqiptare dhe Naim Frashërin më mirë loja e bilardos dhe ping-pongut (me përfitues privatë), apo feja e lashtë e shqiptarëve me dymijë vjet histori?
Në fund të fundit, ne nuk habitemi për këtë qëndrim të z. Frashëri. Ai që në rini pati aderuar në ateizmin ekstrem, në moshë të pjekur ka dhënë pëlqimin për shkatërrimet e atij ateizmi në 1966 (se s’na e merr mendja të këtë guxuar të heshtë), dhe sot në pleqëri të thellë mbetet i papenduar, konseguent në ateizmin e tij duke goditur përsëri kishën dhe atë pjesë të shqiptarëve që vuajtën për besimin e tyre nga regjimi monist dhe nga elita ndihmëse e tij, pjesë e së cilës ishte dhe z. Frashëri.
Krejt inkoherent së fundi na duket paragrafi i fundit i intervistës së tij që kërkon të largojë nga Shqipëria dhe nga Kisha jonë Fortlumturinë e Tij Anastasin, duke e falënderuar për punën e tij vetëm si Eksark, një falënderim i habitshëm, që shuan me një të rënë lapsi si punën 18-vjeçare të tij si Kryepiskop, edhe të ashtuquajturin shovinizëm që i atribuon z. Frashëri gjatë tërë intervistës së tij në kohën si Eksark kohe, për të cilën ai e falënderon(!) vështirë të merret vesh prof. Frashëri.
Besimtarët
Dhimitër Topi, Anastas Dodbiba, Llazar Pjeshkazini, Joana Bagaviki, Krisavgji Kolemiço, Diana Peto, Lekë Tasi, Veronika Xhindi, Antigoni Buçka, Gjenovefa Koliçi, Tote Aliaj, Panajota Qirjaqi, Leonora Terezi, Adelina Dante, Krisulla Dhima, Spiro Sulkuqi, Katerina Gjika, Tatiana Dodbiba.

Nessun commento: