giovedì 22 luglio 2010

Manastri i Ri i Shën Vlashit, Durrës 8 – 12 korrik . Dal sito ufficiale della Chiesa Ortodossa d'Albania

Nevoja për një “teologji shërimi” ishte tema qendrore e takimit të fundit ndërkombëtar midis grave Orthodhokse dhe të Krishterëve të të dy gjinive nga tradita të tjera .
Drejtimi i gruas në jetën e kishës – në administratë, ose kujdesin social, nuk duhet “kuptuar si kërkim fuqie dhe prestigji, por si zotim i thellë i dashurisë dhe shërbimit që i përgjigjet dashurisë sakrifikuese të Krishtit” -  u shprehën pjesëmarrësit në Konsultimin Teologjik, që u zhvillua nga 8 -12 korrik, në mjediset e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Manastrin e Ri të Shën Vlashit, Durrës.
Pjesëmarrësit në ndërhyrjet dhe diskutimet e tyre thanë se këtë zotim të grave duhet ta shohim si “shërim i të gjitha plagëve të njerëzve, veçanërisht të abuzuarve, të dhunuarve, viktimave të varfërisë dhe të njerëzve të tjerë të harruar nga shoqëria, ku gratë dhe fëmijët janë më të shumtë në numër.”
Një teologji shërimi qëndron në faktin se “shërimi është një dhuratë nga Perëndia i Mishëruar, i Kryqëzuar dhe i Ngjallur për gjithë krijimin”. Ky shërim “është shprehur në një mënyrë konkrete në përditshmërinë tonë në të gjitha nevojat e fushave sociale, me të cilat komunitetet e krishtera përballen shpesh”.
Kështu gratë dhe burrat në kishë duhet të vendosin “të jenë agjentë të Perëndisë së Ngjallur dhe instrumente të shërimit në botën e thyer dhe në nevojë”.
Në takim, i cili ishte organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave, morën pjesë 23 përfaqësues Orthodhoksë, Romanokatolikë dhe Protestantë, burra dhe gra, nga Afrika, Azia, Evropa, Lindja e Mesme, Amerika Lindore dhe Jugore. Mikpritësi ishte Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Takimi ishte një vazhdim i një serie takimesh konsultative të grave Orthodhokse mbi rolin e grave në kishë, që e ka zanafillën e saj në vitin 1976.
Këshilli Botëror i Kishave ka në përbërjen e vet 347 kisha anëtare, nga më shumë se 100 shtete (kishat protestante e orthodhokse, ndërsa Kisha katolike është me statusin e vëzhguesit). Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është anëtare e WCC-KBK nga janari i vititi 1994. Kryepeshkopi Anastas është një prej presidentëve të këtij organizmi, me një kontribut të shquar ndër vite në lëvizjen ekumenike. 

Nessun commento: